Skip to content Skip to footer

Tregëtia në internet në Shqipëri – Drejt një Plan Veprimi për Zhvillim

Sot u mbajt takimi i dytë i grupit të punës të drejtuar nga Ministria e Financave, i kushtuar zhvillimit të një plani veprimi për tregëtinë në internet, për të përmbushur politikat shtetërore të Shqipërisë. Kjo është një sfidë komplekse, e cila kërkon koordinim të institucioneve shtetërore dhe jo shtetërore, si Ministria e Financave, Drejtoria e Tatimeve, Drejtoria e Doganave, Banka e Shqipërisë, Shoqata e Bankave, AIDA, Posta e Shqipërisë, AECA etj., duke përmbushur direktivat e BE-së, Organizatës Botërore të Tregëtisë, CEFTA-s etj.

Megjithatë, besojmë se kemi arritur të formulojmë një strukturë të qartë për këtë plan veprimi. Si një partner i rëndësishëm i biznesit, kemi qenë aktivisht të përfshirë në gjithë procesin e disa muajve të zhvillimit të këtij plani. Dëshirojmë të shprehim falenderimet tona të sinqerta për Ministrinë e Financave, që ka mundësuar përfundimin e kësaj strukture.

Për dy vitet e ardhshme, kemi identifikuar pika specifike të zbatimit në këto shtylla themelore:

Lehtësimi i transaksioneve online dhe përmirësimi i logjistikës.

Rritja e përdorimit të pagesave elektronike.

Rritja e besueshmërisë midis konsumatorëve.

Rritja e kapaciteteve të bizneseve.

Rritja e tregëtisë jashtë Shqipërisë.

Ndërtimi i një baze të qëndrueshme të të dhënave dhe statistikave për tregëtinë online.

Ulja e informalitetit në këtë industri.

Këto shtylla do të shoqërohen me veprime të veçanta, të cilat do të monitorohen dhe zbatohen nga grupi ynë i punës gjatë muajve dhe viteve të ardhshme.

Jemi të lumtur për arritjet deri më tani, por duam të theksojmë se kjo është vetëm fillimi. Në rrugën drejt progresit të vazhdueshëm, synojmë të vazhdojmë me të njëjtin zell dhe angazhim.

Leave a comment